1 miliard € më pak shpenzime në buxhetin 2020
Arkëtimet nga TVSH dhe akcizat më të larta se Nëntorin e shkuar
Buxheti i shtetit ka arritur të kursejë për 11 muaj të këtij viti 1 miliard Euro shpenzime të planifikuara, duke mbajtur në këtë mënyrë një huamarrje më të ulët se ajo që kishte planifikuar, edhe pse defiçiti vazhdon të mbetet në nivelet më të larta historike.
Sipas të dhënave të treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, janë 530 milionë Euro të pashpenzuara nga fondet për dhënie pagash, interesa borxhi dhe fonde speciale, ku përfshihen kompensimi i ish-pronarëve e ish të përndjekurve, ndërsa 190 milionë Euro nuk janë realizuar te zëri i investimeve publike, ku disbursimet më të ulta rezultojnë për buxhetin e rindërtimit.
Në total buxhetit i mungojnë 535 milionë Euro të ardhura nga tatimet dhe ndihmat, ku vetëm nga të ardhurat tatimore, rënia krahasuar me një vit më parë është 300 milionë Euro.
Pavarësisht kësaj situate, të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar shënuan në muajin Nëntor një rritje me 5 milionë Euro krahasuar me një vit më parë dhe ato nga akcizat u rritën me 3 milionë Euro, duke dhënë sinjale për shtimin e konsumit gjatë muajve të fundit.
Taksat me mosrealizimin më të madh janë tatimi mbi fitimin dhe ai i të ardhurave personale, për shkak të shtyrjes që vendosi këtë vit qeveria si një ndihmë për qytetarët e bizneset gjatë situatës së pandemisë.
Tv Klan