10 viktima dhe 499 infektime të reja me Covid
Bie sërish numri i të shtruarve në spitale
10 pacientë humbën jetën nga koronaviruri në 24 orët e fundit, duke e çuar në 1153 numrin total të viktimave që nga nisja e pandemisë. Sipas autoriteteve shëndetësore 2 nga pacientët ishin nga Tirana, 2 nga Lezha, ndërsa të tjerët i përkisnin Gjirokastrës, Fierit, Elbasanit, Matit dhe Lushnjes. Mes tyre humbi jetën edhe mjeku 72-vjeçar Sali Baco.
Kurba e të infektuarve ditorë ka pësuar sërish rritje. Nga 2165 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 499 qytetarë, 124 më shumë sesa 1 ditë më parë. Pjesa më e madhe e tyre i përkasin Tiranës me 180 raste, e ndjekur nga Durrësi me 36, Fieri me 29 dhe Shkodra me 21 raste.
Ministria e Shëndetësisë raporton për një situatë të qëndrueshme në të 4 spitalet Covid, ku numri i të shtruarve ka rënë sërish. Aktualisht në këto struktura spitalore po marrin shërbimin 316 pacientë, 23 në terapi intensive nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.
Në 24 orët e fundit 384 qytetarë kanë fituar betejën me koronavisrus, duke e çuar numrin e të shëruarve 31,565 që nga fillimi i epidemisë.
Tv Klan