10 të vdekur nga përmbytjet në Francë
Të paktën 10 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet më të mëdha në 100 vitet e fundit në rajonin Aude në Francën jugore. Autoritetet lokale thanë se sasia e reshjeve të disa muajve ra në vetëm pak orë, duke tejmbushur rrugët në shumë zona.
Transmetuesi lokal BFMTV raportoi se rrjedha e lumit Aude mori me vete edhe një murgeshë. Një polic që kishte mbërritur pranë një aksidenti të shkaktuar nga moti u godit për vdekje nga një motorist. Fillimisht Ministria franceze e Punëve të Brendshme tha se numri total i viktimave ishte 13, por më pas u verifikua se disa ishin numëruar dy herë.
Prefekti i Aude, Alain Thirion, tha se shumë njerëz ishin bllokuar në çatitë e shtëpive dhe se ata duhej të evakuoheshin nga ajri pasi lëvizja në rrugë ishte e rrezikshme. “BBC” raporton sipas shërbimit meteorologjik “Vigicrues”, përmbytjet e fundit ishin më të rëndat që rajoni i lumit Aude ka përjetuar në më shumë se 100 vite.
Kryeministri francez Edouard Philippe tha se 7 helikopterë dhe 700 forca të emergjencave janë vendosur në zonë në ndihmë të banorëve. Shumë njerëz kanë shpërndarë në rrjetet sociale dëmet e mëdha të shkaktuara nga përmbytjet e paprecedenta.
/tvklan.al