10-vjeçares së përdhunuar i ndalohet aborti


10-vjeçares së përdhunuar i ndalohet aborti

22:50 28/07/2017

Gjykata Supreme e Indisë ia ka ndaluar një 10-vjeçareje, që dyshohet se është përdhunuar nga xhaxhai, të abortojë fëmijën me argumentimin se kishte kaluar shumë kohë.

Një panel mjekësh i thanë gjykatës se aborti do të ishte shumë i rrezikshëm për të, pasi ishte 32 javësh shtatzënë.

Shtatzënia e vajzës u zbulua vetëm dy javë më parë kur u ankua për dhimbje stomaku dhe prindërit e çuan në spital.

Një gjykatë lokale e kishte refuzuar kërkesën e familjes për abort më herët me argumentim të njëjtë.

Sipas Gjykatës Supreme, e cila nuk publikoi të dhënat e raportit mjekësor, heqja e fëmijës nuk do të ishte e shëndetshme për vajzën dhe ajo i kërkoi një spitali shtetëror të kujdeset për shëndetin e saj.  

Por, ndryshe nga argumentet e gjykatës, juristi Alakh Alok Srivastava ka paraqitur një peticion publik ku thuhet se sipas disa ekspertëve mjekësor, nëse 10-vjeçarja lejohet të lindë, si në mënyrë natyrale ashtu edhe me operacion cezarian, jeta e saj dhe e fëmijës tok rrezikohet shumë.

Ligjet indiane nuk e lejojnë abortin pas javës së 20-të të shtatzënisë.

Ligji është prezantuar fillimisht në vitin 1971 në Indi, në përpjekje për të luftuar disbalancën gjinore që vjen si pasojë e aborteve selektive në vend. Shumë prindër, duke qenë se preferonin djem, vendosnin t’i abortonin vajzat pasi zbulonin gjininë e tyre.

Por sëfundmi është bërë gjithnjë e më prezent problemi i shtatzënive të të miturave të përdhunuara, të cilat në shumë raste nuk zbulohen para javës së 20-të.

India është shteti me numrin më të madh të abuzimeve seksuale me fëmijë në botë. Megjithëse diskutohet pak në publik, shumë thonë se problemi ka arritur nivele epidemike./tvklan.al





Të ngjashme