100 apartamente dhe 128 shtëpi private për rindërtimin
Hapen deri në fund të vitit mbi 5000 vende të reja pune
Puna për ndërtimin e 15 pallateve të banimit me 100 apartamente dhe 128 shtëpi individuale vazhdon intensivisht.
Në këtë zonë në Fushë Krujë, ku qindra banorë mbetën jashtë shtëpive për shkak të goditjeve të tërmetit të 26 Nëntorit po ndërtohet një lagje e re, ku përveç banesave, kanalizimeve dhe rrjetit të ri të furnizimit me energji do të ndërtohen edhe shkolla, qendra shëndetësore, zyra shërbimesh publike, zona të gjelbra dhe një treg për produktet e zonës.
Procesi i rindërtimit mendohet të hapë deri në fund të vitit mbi 5 mijë vende të reja pune, duke amortizuar kështu efektet që ka dhënë te papunësia pandemia e Covid-19.
Kryeministri Edi Rama inspektoi më herët përfundimin e punimeve të ujëmbledhësit të Tapizës, i cili pas degradimit në vite rrezikut të rrëshqitjeve rrezikonte përmbytjen e fshatrave përreth, përfshirë dhe pistës së aeroportit të Rinasit.
Pas investimit me vlerë dy milion dollarë nga Masterplani Kombëtar i Ujitjes, rezervuari tashmë do të shërbejë për vaditjen e tokave të 6 fshatrave në zonën e Krujës.
Nga ky program deri më sot janë financuar 700 projekte të cilat kanë dyfishuar tokën e punueshme në Shqipëri për shkak se një pjesë e mirë e sipërfaqeve liheshin djerrë nga mungesa e mundësisë së vaditjes.
Tv Klan