100 raste në ditë nga helmimet
Mbi 100 raste në ditë paraqiten tek Urgjenca Infektive me simptoma të helmimeve. Sipas shefes së këtij shërbimi, Najada Çomo, vapa ka shtuar rreziqet për kontaminimin e ushqimeve që për shkak të neglizhencës nuk mbahen në kushte frigoriferike.
“Fakti që në këtë sezon ne kemi fluks të shtuar të personave edhe me infeksione të aparatit tretës , është që o produkti nuk është mbajtur në mënyrë korrekte ose produkti nuk është përpunuar mirë nga ana termike, ose ai qëndron për orë të tëra në diell”, shprehet shefja e Shërbimit Infektiv.
Çomo thotë se shumica e rasteve vijnë nga frekuentimi i plazheve, ku kontrolli mbi ushqimet është më i vogël.
“Kategoritë më të rrezikuara është grupmosha e re, e cila frekuenton ushqimet e ngrëna jashtë shtëpie dhe të sëmurët kronikë. Më shumë vijnë njerëzit nga zona bregdetare”, shton ajo.
Bluzat e bardha rekomandojnë ruajtje të higjenës, konsum të shpejtë të ushqimeve që blejnë, ruajtjen e tyre në kushte frigoriferike, si dhe të konsumojnë sa më shumë ujë dhe lëngje.
Tv Klan