107 vjet ushtri, Meta: Falenderim dhe mirënjohje, Zoti i bekoftë ushtarakët shqiptarë
Xhaçka: Një popull i tërë iu është mirënjohës
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka uruar këtë të mërkurë Forcat e Armatosura me rastin e 107-vjetorit të krijimit të ushtrisë shqiptare.
Meta falenderon të gjithë ushtarët për kontributet e vyera, përkushtimin heroik dhe sakrificat sublime për mbrojtjen e atdheut, për operacionet humanitare dhe paqeruajtëse si dhe për garantimin e lirisë, paqes e stabilitetit kudo në botë nën flamurin e NATO-s.
Por Presidenti shprehet se ky 107-vjetor nuk i gjen Forcat tona të Armatosura si zakonisht, por në krye të solidaritetit dhe ndihmës për njerëzit që janë prekur rëndë nga tërmeti.
Ky rast sipas kreut të shtetit solli në pah edhe domosdoshmërinë e modernizimit të mëtejshëm të ushtrisë.
:Ky 107-vjetor, i gjen Forcat tona të Armatosura, në krye të solidaritetit dhe ndihmës për vëllezërit e motrat shqiptare të prekur rëndë nga pasojat e tërmetit tragjik, duke spikatur me profesionalizmin, përkushtimin dhe dashurinë për të shpëtuar banorët e mbetur nën rrënojat e kësaj fatkeqësie natyrore shkatërrimtare, që nxorri në pah dhe domosdoshmërinë e modernizimit të mëtejshëm të ushtrisë shqiptare. Zoti i bekoftë ushtarakët shqiptarë! Lavdi dëshmorëve që dhanë jetën për Atdhe dhe Flamur”, shkruan Meta në rrjetet sociale.
Për 107-vjetorin e krimit të ushtrisë reagoi edhe Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka. Në një postim në rrjetet sociale ajo thotë se ky vit i gjen Forcat e Armatosura më pranë komunitetit se ndoshta kurrë më parë.
“Ndihmën e pazëvendësueshme të Forcave të Armatosura ndaj komunitetit e ka ndjerë këto ditë edhe Klea e vogël, shtëpia e së cilës u prek nga tërmeti i mëngjesit të 26 Nëntorit. Një popull i tërë ju është mirënjohës sot e gjithmonë, ju heronjve të heshtur që mbërrini të parët kudo ku shqiptarët ndihen në vështirësi. 107 vjet Forcë e Armatosur, simbol i përkushtimit dhe sakrificës”, shkruan Xhaçka, e cila postimin e shoqëron me një video në nderim të punës së Forcave të Armatosura pas tërmetit të 26 Nëntorit.
/tvklan.al