11-17 Tetor java e vaksinimit masiv të studentëve
Eugena Tomini: Grafik për vaksinimin në çdo fakultet. Në dispozicion të tyre ka Pfizer, AstraZeneca dhe Sinovac
Fillimin e javës që vjen, të gjithë studentët do të mund të vaksinohen edhe në ambientet e fakulteteve të tyre. Sipas zëvëndësministres së Shëndetësisë, Eugena Tomini në datat 11-17 Tetor do të ketë grupe vaksinimi në çdo universitet, ndërkohë që viti akademik është shtyrë për në 18 Tetor.
“Do të jetë një aplikim masiv, me pika vaksinimi në çdo universitet. Kjo do të jetë në mënyrë rotacion, që do të thotë 4-5 fakultete ose universitete do të jenë ditën e hënë, më pas përvijon grafiku. Është një grafik i detajuar ku në varësi të fluksit të studentëve, do të bëhet aplikimi po në ambientet universitare”.
Në këto pika vaksinimi do të ofrohen tre vaksina anti-Covid të cilat kanë stok në vend.
“Do të ketë variante aplikimi vaksinash. Ne nuk fokusohemi vetëm te një vaksinë, por si është stoku dhe shpërndarja që është kryer nga njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, por edhe nga drejtoritë rajonale shëndetësore. Stoku është për të gjitha vaksinat: Pfizer, AstraZeneca, CoronaVac”.
Tomini u bën apel jo vetëm studentëve, por çdo personi mbi 18 vjeç të vaksinohen.
“Përveç javës intensive studentore për vaksinim, paralelisht janë të gjithë pikat e vaksinimit në mbarë Shqipërinë, që për fashën 18+, muaji i tretë i vaksinimit masiv po përvijon. Ne jemi në komunikim me Ministrinë e Arsimit dhe në bashkëpunim me të gjithë universitetet në vend, po tentojmë në rritjen e mbulesës vaksinale. Vendimmarrja, orientimet, në abzë të udhëzimeve të rekomanduara, në bazë të urdhrave aktualë, të gjithë studentet që duhet të përvijojnë vitin shkollor duhet të jenë të vaksinuar. Kjo është për shëndetin e tyre dhe për shëndetin e të gjithë anëtarëve të tjerë të familjes”.
Interesi për t’u vaksinuar mbetet në nivele të ulëta. Sipas një pyetësori të realizuar nga Bordi Kombëtar i Studentëve rezulton se vetëm 31 % e tyre janë vaksinuar. Pra i bie se nga 123 mijë studentë janë vaksinuar rreth 38 mijë. Ndërkohë që shumë universitete kanë raportuar se kanë vetëm rreth 15% të studentëve të vaksinuar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në total të dyja dozat e vaksinës i kanë marrë rreth 825 mijë persona.