11-vjeçarja në gjendje të rëndë
11-vjeçarja që u transportua një ditë më parë nga fshati Berishe i Fushë-Arrzit po trajtohet ne reanimacionin e shërbimit të pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Shefja e këtij shërbimi, Ermira Kola pohon se ajo është ende në gjendje kritike për jetën, ndërsa nuk përjashtohet ende mundësia se mund të jetë prekur nga fruthi.
“Është me bronkopneumoni, ka shenja në lëkurë, por po presim analizat”
, thotë Ermira Kola.
11-vjeçarja u transportua në Qendrën Universitare së bashku me dy vëllezërit e saj 16 dhe 17 vjeç, pasi motra e saj 13 vjeç nderroi jetë në shtëpi. Dyshimet e para janë se 4 fëmijët e familjes Smajlaj janë prekur nga fruthi, por kjo pritet të verifikohet nga analizat laboratorike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik.
Sa i takon dy vëllezërve, të cilët po trajtohen në shërbimin infektiv të të rriturve, mjekët pohojnë se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Tv Klan