12 të prekur me koronavirus


12 të prekur me koronavirus

11:17 11/03/2020

Autoritetet shëndetësore kanë identifikuar edhe 2 raste të tjera të prekur me koronavirus në vendin tonë. Në një dalje për mediat, zv/Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha këtë të mërkurë se një nga dy të prekurit është i afërt me pacientin zero, ndërsa tjetri është identifikuar në Lushnje. Të dyja rastet janë në vëtëizolim dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

“Në 24 orët e fundit janë kryer edhe 43 testime të reja, nga të cilat kanë rezultuar dy raste pozitive me COVID-19. Njëri prej tyre është i lidhur me pacientin zero, ndërsa tjetri është një i moshuar në Lushnje, 78-vjeçar, me një histori udhëtimi në Bergamo të Italisë. Ai ka udhëtuar atje në mesin e  epidemisë dhe është kthyer në Shqipëri. Të dyja rastet janë në vetëizolim dhe janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore”.

Rakacolli tha se në total deri më tani janë testuar 157 persona dhe vetëm 12 prej tyre janë identifikuar të prekur me koronavirus. Nga këta, 9 kanë lidhje kontakti me pacientin zero, pra 28-vjeçarin i cili ishte i pari i identifikuar me Covid-19.

“Në total deri në këto momente janë testuar 157 njerëz të dyshuar për Covid-19. Deri më tani, nga këta 157 vetëm 12 i kemi të identifikuar pozitivë. Nga këta, 9 kanë lidhje kontakti me rastin e parë, me pacientin zero, 3 janë raste të reja. 1 është në Tiranë, 1 në Lushnje dhe 1 në Durrës”.

Zv/Ministrja tha se 3 prej të prekurve janë në Spitalin Infektiv në Tiranë, pa probleme të veçanta. Në Durrës, pacientja e prekur me koronavirus ndodhet në terapi intensive, por në gjendje të stabilizuar.

“Lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore, ju informojmë se 3 prej të prekurve janë të shtruar në Spitalin Infektiv në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, pa probleme të veçanta. Njëri në spitalin e Durrësit, në terapi intensive, por në gjendje të stabilizuar. 7 prej personave të identifikuar Covid-19 pozitiv, janë në vetëizolim pa shenja klinike të infeksionit respirator, janë normal. Ndërsa 104 persona, kontakte të personave të identifikuar me Covid janë në vetëkarantinim, pra nuk paraqesin absolutisht asnjëlloj shenje”.

Zv/Ministrja Rakacolli vuri theksin se institucionet dhe qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të zbatojnë me përpikmëri masat e bëra publike./tvklan.al

Urdhri i ri i firmosur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu për masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19:

  1. Mbyllja për publikun deri në datë 03/04/2020 të
    a. Ambienteve që ofrojnë shërbime në lokale nate
    b. Të ambienteve të mbyllura të dedikuara për argëtimin e fëmijëve dhe të rinjtë, aktiviteteve në palestra, qendra sportive, pishina, qendra internet, qendra kulturore dhe argëtimi
    2- Ndalimin deri në datë 03/04/2020 të:
    a. Aktiviteteve sportive, sociale dhe kulturore;
    b. Eksursioneve mësimore të organizuara prej institucioneve shkollore me destinacion brenda ose jashtë vendit;
    c. Procedurave të konkursit për punësim personeli, konkurse shkollimi dhe specializimi.
    3- Gjatë ditës, aktivitetet e bareve, restoranteve, lokaleve të ofrojnë shërbim për klientët duke respektuar distancën prej së paku dy metrash ndërmjet tavolinave në vendet ulur, dhë në çdo rast të garantojnë distancën prej së paku një metër të njëriut nga njëriu.
    4- Institucionet publike dhe private, të hartojnë sipas fushës së përgjegjësisë së tyre brenda datës 11.03.2020 një plan masash për sigurimin e ofrimit të shërbimeve prioritare, duke prioritizuar kategoritë e shërbimit kryesisht nëpërmjet ofrimit të shërbimit online, punës në distancë, dhe vetëm në raste të domosdoshme të ofrojnë shërbimin ndërmjet kontaktit fizik. Për shërbimet për të cilat nevojitet kontakti i drejtpërdrejtë me publikun institucionet duhet të pajisin personelin me mjete pune mbrojtëse me qëllim ruajtjen e shëndetit të tyre.
    5- Institucionet publike që ofrojnë shërbime pritjeje për publikun në sportel të marrin masa për të shfrytëzuar maksimalisht shërbimet online dhe platformën e-albania.
    6- Organet e shërbimit postar duhet të garantojnë vazhdimimësinë e shërbimti dhe të hartojnë një plan masash për të kufizuar kontaktet e punonjësve me publikun dhe për të shmangur grumbullimin e publikut në sportele apo ambiente të tjera të brendshme.
    7- Detyrohen të gjithë personat që kanë hyrë në Shqipëri nga zona me rrezikepidemiologjik të identifikuara të tilla prej Organizatës Botërore të Shëndetësise, të plotësojnë skedën e udhëtarit në pikat hyrëse kufitare dhe të vetëkarantinohen detyrimisht për një periudhë 14 ditore nga data e hyrjes në kufi.





Të ngjashme