13 ditë grevë, s’ka reagim për naftëtarët!
“Duam bukë”. Me këto thirrje punëtorët e rafinerisë së përpunimit të naftës në Ballsh marshuan në rrugët e qytetit në përkrahje të kolegëve të tyre që ndodhen të ngujuar në ambientet e uzinës.
Me ta ishin sot edhe përfaqësues të shoqërisë civile që u bënë thirrje institucioneve që të gjejnë një zgjidhje për naftëtarët ndërsa paralajmëruan përshkallëzim të protestës.
Ndërkohë, 10 naftëtarë vijojnë grevën në ditën e 13 të ngujuar dhe duke mos lejuar asnjë kontakt me jashtë. Gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar edhe më shumë, ndërsa janë të vendosur për ta vijuar protestën e urisë deri në fund.
Naftëtarët e Ballshit kërkojnë pagat e 27 muajve punë që nuk i kanë marrë ende ndërsa edhe pas 2 javësh grevë nuk ka një përgjigje nga kompania që menaxhon rafinerinë apo edhe nga institucionet qëndrore.
Klan Plus