13 raste të reja me Covid-19, ulet numri i të shtruarve
Tirana, Shkodra dhe Durrësi numrin më të lartë të të infektuarve
Tirana, Shkodra dhe Durrësi vijojnë të evidentojnë raste të reja me Covid-19. Mes 13 raste të evidentuara, Tirana sërish ka numrin më të lartë.
“Në 24 orët e fundit janë testuar 233 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 13 raste të reja me COVID-19. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 6 raste, Shkodër 5 raste dhe Durrës me 2 raste”.
Personat e evidentuar me Covid-19 janë raste kontakti dhe jo vatra të reja.
“Pjesa më e madhe e rasteve të identifikuara në 24 orët e fundit janë kontakte të rasteve të mëparshme të prekura me COVID-19, ndërkohë që vazhdon procesi hetimit epidemiologjik”.
Numri i të infektuarve ka arritur në 446, por fatmirësisht gjysma janë shëruar.
“Gjatë 24 orëve të fundit, 20 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 217”.
Mes të shëruarve janë edhe 32 mjekë dhe infermierë. Deri tani më shumë se gjysma e personave nga personale mjekësor është shëruar nga Covid-19 në dy testet e kryera.
Po ashtu nga dita në ditë numri i të shtruarve në spital po pëson ulje drastike. Në dy spitalet COVID po marrin shërbim mjekësor 49 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë të intubuar.
“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 41 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 2 prej tyre janë të intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 5 prej tyre pacientë janë të intubuar”.
Deri tani betejën me këtë e kanë humbur 23 qytetarë, të cilët kanë patur edhe probleme shëndetësore bashkëshkëshoqëruese.
Tv Klan