140 dosjet që e presin Gjykatën Kushtetuese


140 dosjet që e presin Gjykatën Kushtetuese

15:35 24/12/2020

Të parat, zgjedhjet vendore dhe Teatri Kombëtar

Përparim Kalo është anëtari i gjashtë i Gjykatës Kushtetuese, që u zyrtarizua në detyrë pasi bëri betimin në Presidencë duke bërë kështu funksionale këtë gjykatë pas gati 3 vitesh. Nga dita e hënë ai merr zyrtarisht detyrën, ku pritet të nisë një punë voluminoze. Televizion Klan ka mësuar se deri tani janë 140 dosje që presin të shqyrtohen nga 6 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ndër çështjet kryesore janë edhe ato më të debatuara të politikës, si ajo e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit, që opozita i cilësoi si antikushtetuese.

Për këtë kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka paraqitur një kërkesë në Kushtetuese, Korrikun e kaluar, ku kërkonte anulimin e tyre si dhe verifikimin e regjistrimit në këto zgjedhje të partisë së re, Bindja Demokratike.  

Një tjetër çështje e nxehtë është edhe prishja e Teatrit Kombëtar. Në Maj të 2019-s, Presidenti Ilir Meta depozitoi një kërkesë duke ankimuar ligjin për “Shembjen e Teatrit”. Të njëjtën kërkesë Meta e depozitoi edhe në Maj të këtij viti, pasi qeveria vendosi të kalojë në pronësi të bashkisë godinën e teatrit që më pas solli edhe shembjen e tij. Këtë vendim Meta e cilësoi antikushtetutes duke i kërkuar gjykatës në atë kohë të dalë me një vendim për ligjshmërinë e këtyre hapave të ndërmarrë nga qeveria.

Dosjet e tjera kanë të bëjnë me çështje që lidhen me pronat, por edhe përplasjet mes institucioneve, ndërsa nuk mungojnë edhe individë të caktuar që kërkojnë zgjidhje në këtë gjykatë.

Tv Klan






Të ngjashme