Humbin jetën 15 qytetarë të tjerë
Konfirmohen 1143 raste të reja me koronavirus
Mbeten të larta shifrat e pandemisë në vendin tonë. 15 qytetarë të tjerë e humbën jetën në 24 orët e fundit duke e çuar në 1 503 numrin total të viktimave që nga shfaqja e virusit. 8 prej tyre janë nga Tirana dhe nga 1 nga Kavaja, 1 Durrësi, Vlora, Fieri, Patosi, Elbasani dhe Korça, të moshave 53 deri në 94 vjeç.
E mërkura ka shënuar numrin e dytë më të lartë të infektimeve në vend që nga mbërritja e virusit, me 1143 raste të reja. Harta e përhapjes së koronavirusit shtrihet në gjithë vendin, por kryeqyteti mbetet vatra më e nxehtë me 453 raste, e ndjekur nga Vlora me 110, Kuçova me 58, Fieri me 57, Saranda me 35, Shkodra dhe Berati me nga 34 dhe Durrësi me 24 raste.
Një situatë e rëndë paraqitet edhe në 4 spitalet Covid, ku pësuar sërish rritje numri i pacientëve që kërkojnë trajtim të specializuar mjekësor.
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se aktualisht në spitale po trajtohen 483 pacientë, 37 në terapi intensive nga të cilët 15 janë të intubuar.
Në 24 orët e fundit raportohen se kanë mundur ta fitojnë betejën me koronavirusin 683 qytetarë, duke e çuar në mbi 53 mijë numrin total të personave të shëruar.
Tv Klan