162 mijë Euro për të blerë këtë revolver të ndryshkur
Përmes një ankandi, për plot 162.500 Euro është shitur arma që piktori Vincent Van Gogh mund të ketë përdorur për të vrarë veten. Ky revolver i ndryshkur u ble nga një koleksionues.
Shuma për të cilën u shit, është gati tre herë më e madhe nga sa pritej. Arma u gjet nga një fermer në vitin 1965 pranë fshatit ku Van Gogh kaloi ditët e fundit të jetës. Megjithatë janë ngritur dyshime mbi vërtetësinë e kësaj arme. Instituti Van Gogh që ka në mbikëqyrje shtëpinë ku kaloi ditët e fundit të jetës artisti i famshëm, kritikoi ankandin për shitjen e armës.
“Zyrtarisht asgjë nuk e lidh armën me vdekjen e Van Gogh”, thuhet në deklaratë. Ankandi që shiti këtë revolver pranoi se nuk ka një provë shkencore që vërteton se kjo armë është përdorur nga Van Gogh, por tha se datat përputhen. Sipas ankandit, këto të dhëna forcojnë teorinë se kjo armë është përdorur në vetëvrasje. /tvklan.al