Mbytet 17-vjeçarja, arrestohet shoku i saj


Mbytet 17-vjeçarja, arrestohet shoku i saj

11:03 20/08/2020

Indrit Bajraktari: Nuk mbaj mend çfarë ndodhi në det

Do të ishte thjesht një xhiro me motorin e ujit ajo e 17-vjeçares Enisa Doda që po kalonte pushimet me familjen në Velipojë, por gjithçka është përmbysur duke u kthyer në tragjedi.

Vajza humbi jetën në det në rrethana ende të pasqaruara, për shkak se shoku me të cilin e nisi xhiron me motor, Indrit Bajraktari, ka gënjyer disa herë.

Trupi i vajzës u gjet i pajetë në det, rreth 800 metra larg bregut. Në qafë i varej çelësi i motorit, ndërsa sipas policisë, në trupin e të miturës kishte shenja dhune.

Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, dy të rinjtë hynë bashkë në det, por në kthim 25-vjeçari doli vetëm me not në breg. Pronarëve të motorit, Indrit Bajraktari u tha se vajzën e kishte shoqëruar tek xhaxhai i saj bashkë me motorin. Të shqetësuar për fatin e mjetit, kanë nisur kërkimet në det, por aty kanë gjetur trupin e pajetë të vajzës.

Indrit Bajraktari ndryshoi versionin e tij në polici. Ai tha se kishte qenë bashkë me Enisa Dodën në motor kur ajo u rrëzua dhe u mbyt.

Misterin e ngjarjes nuk e shton vetëm dëshmia e rreme e Bajraktarit, por edhe shenjat në trupin e vajzës. Një shpjegim mund të jetë që ajo është dëmtuar aksidentalisht, sipas policisë, që ka arrestuar Indrit Bajraktarin me akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes, moskallzimit të krimit si dhe pengim për zbardhjen e së vërtetës. Sipas uniformave blu, nuk ka ende prova për ta akuzuar 24-vjeçarin për vrasje.

Ndërkohë, të afërmit e Enisa Dodës kanë ngritur dyshime se në motorin e ujit kishte edhe vajza të tjera. Ata thanë se e mitura nuk dinte mirë not dhe se nuk kishte jelek uji.

Tv Klan






Të ngjashme