18 mijë shkarkime të “Klani im” në 3 ditë
Aplikacioni OTT tërheq vëmendjen e medieve ndërkombëtare
3 ditë nga publikimi i aplikacionit “Klani IM” kanë qenë rreth 18 mijë persona që e kanë bërë menjëherë pjesë të celularit të tyre platformën që mundëson ndjekjen në kohë reale të Televizionit Klan dhe 9 stacioneve të tjera, pa asnjë pagesë. Nëpërmjet këtij aplikacioni që shkarkohet falas dhe lehtësisht si në celularët Android apo IOS mund të ndiqen Tv Klan, Klan plus, Klan News, Klan Music, Klan Macedonia, Abc News, Syri Tv, Euroneës Albania, Scan dhe IN Tv.
Kjo risi teknologjike ka tërhequr vëmendjen edhe në mediat ndërkombëtare. Broadband TV, portali kryesor në Evropë dhe mbarë botën mbi teknologjinë, analizat dhe komentet rreth fushës mediatike televizive i ka kushtuar një hapësirë të veçantë aplikacionit Klani Im.
“Klan, grupi më i madh mediatik në Shqipëri, ka prezantuar shërbimin e tij të parë OTT. I quajtur Klani Im, ai bazohet në platformën Antik Technology IPTV. Sllovakja Antik dhe partneri i saj lokal Advantech ofrojnë një zgjidhje për platformat streaming dhe aplikacione për telefonat celularë Android dhe IOS.
Sistemi do të vijë duke u zgjeruar, duke u ofruar gjithnjë e më shumë opsione, si dhe platforma të ndryshme, përfshirë STB dhe smart TV. Ky është projekti i tretë OTT i kësaj kompanie në këtë rajon”, citon Broadband TV.
Aplikacioni Klani Im është një shërbim që u ofrohet falas shikuesve kudo që janë, nëpërmjet internetit, duke përdorur telefonat, tabletët, laptopët apo kompjuterët.
Nëpërmjet këtij aplikacioni nuk është më e nevojshme që shikuesit të qëndrojnë të mbërthyer përpara televizorit për të parë programet e preferuara, por ato mund t’i shohin në çdo kohë, kur të dëshirojnë.
Një program direkt apo një serial mund të ndalohet dhe të riniset aty ku ishte ndalur. Përmes këtij aplikacioni mund të vihen në regjistrim kanale, programet e të cilëve mund të shihen në çdo kohë.
Falë fleksibilitetit që ofron ndërveprimi në aplikacionin Klani Im, programet mund te shtyhen përpara me shpejtësi, apo te kthehen mbrapa, te ndalohen e te rifillohet edhe nëse ka kaluar edhe një javë nga koha kur është ndaluar së pari.
Në këtë mënyrë shikuesi ka një kontroll të paimagjinueshëm mbi televizorin, i cili, shndërrohet kështu në një produkt të një gjenerate tjetër. Sinjali televiziv ofrohet falas në çdo celular me një cilësi tepër të lartë nëpërmjet internetit.
OTT vjen si një nga zhvillimet më të mëdha teknologjike televizive në botë, duke transformuar sa Televizionin Kombëtar Klan aq edhe mënyrën e të shikuarit të programeve të tij të larmishme, duke i bërë të aksesueshme nga çdo pikë e globit, në çdo kohë, vetëm duke shkarkuar aplikacionin Klani Im në televizorin, kompjuterin, telefonin apo tabletin tuaj.
Tv Klan