Covid thyen sërish rekord, 19 viktima në 24 orë
Konfirmohen 744 raste të reja infektimesh
Koronavirusi ka thyer një tjetër rekord negativ, teksa në 24 orët e fundit ka shkaktuar 19 viktima të tjera, duke çuar në 735 numrin total të jetëve të humbura që nga shfaqja e pandemisë në vendin tonë.
7 nga qytetarët që kanë humbur jetën janë nga Tirana, 2 nga Elbasani, 2 nga Saranda, ndërkohë që nga 1 viktimë është regjistruar në Librazhd, Korçë, Pogradec, Vlorë, Durrës, Krujë, Berat dhe Shijak.
Situatë e vështirë paraqitet edhe në spitalet Covid, ku është rritur numri i personave të shtruar dhe atyre që janë në gjendje të rëndë. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se aktualisht ndodhen të hospitalizuar 455 pacientë, 21 në terapi intensive, nga të cilët 7 janë të intubuar.
I lartë mbetet edhe numri i infektimeve me Sars-Cov 2. Nga 2505 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë 744 qytetarë. Harta e përhapjes së virusit edhe në këto 24 orë është e shtrirë thuajse në të gjithë vendin, por ku kryeson Tirana me 307 raste të reja dhe pas saj vjen Fieri me 85 raste, Lushnja me 44 raste, Kavaja me 39 dhe Elbasani me 34, Shkodra me 33, Durrësi me 32 dhe më pas qytetet e tjera kanë një numër të vogël infektimesh.
Aktualisht në mbarë vendin janë 16 899 raste aktive, gjysma e të cilave i përkasin Tirana, e cila është vatra më e nxehtë e përhapjes së virusit.
Lajmi i vetëm pozitivë në këtë situatë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 436 qytetarë, duke e çuar numrin e personave që e kanë fituar betejën me Covid në 16 666 që nga fillimi i epidemisë.
Tv Klan