197 viktima nga COVID-19 në Itali


197 viktima nga COVID-19 në Itali

15:42 07/03/2020

Infektohet edhe kryetari i PD, Nicola Zingaretti

Vetëm në 24 orët e fundit, 50 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi në Itali. Numri i viktimave ka arritur në 197, të prekurit janë afro 4 mijë. Më problematike situata paraqitet në Lombardi, ku numërohen mbi 2 mijë e 600 të infektuar. Kritike është  ajo edhe në Veneto, Piemonte, Liguria si dhe Emilia-Romagna.

Pozitiv në analizat e koronavirusit ka rezultuar së fundmi kryetari i Partisë Demokratike italiane, Nicola Zingaretti si dhe truproja i ish-ministrit të Brendshëm të Italisë, Matteo Salvini.Nëpërmjet një videomesazhi Zingaretti u shpreh se është mirë, por i duhet të vetëizolohet.

Edhe Salvini ka reaguar duke thënë se nuk ka qenë në kontakt me truprojën. Së fundmi, COVID -19 ka prekur edhe Maltën, me infektimin e një vajze 12-vjeçare që ishte kthyer nga Italia.

Virusi u ka marrë jetën më shumë se 3.400 personave në mbarë botën dhe ka prekur rreth 101.400 të tjerë, shumica e të cilëve në Kinë. Mëngjesin e kësaj të shtune, Zv/Presidenti amerikan Mike Pence ka konfirmuar bllokimin e një anije të ankoruar në San Francisko.

Në mesin e ekuipazhit dhe pasagjerëve të më shumë se 50 shteteve të botës, kanë rezultuar pozitiv 21 persona. Në Iran, autoritetet raportuan se mes 124 viktimave të koronavirusit është edhe një deputete 55-vjeçare.

Tv Klan






Të ngjashme