2 mijë nxënës më pak nëpër shkolla


2 mijë nxënës më pak nëpër shkolla

16:04 11/10/2020

355 shkolla u mbyllën 3 vitet e fundit

Mirjani është nxënësi i vetëm i klasës së dytë në Shkollën e Mesme të Bashkuar Ungrej, në Lezhë. Në mungese të shokëve dhe shoqeve, ai e ndan klasën me fëmijë të moshave të tjera.

Sa nxënës jeni në klasë?

Mirjani: 4 veta. 2 vajza janë të klasës së 5-të dhe 1 çun në klasë të parë.

Sa larg jeni që këtu?

Babai i Mirjanit: Rreth 40 minuta në këmbë

“Dikur në këtë shkollë mësonin deri në 600 nxënës të njësisë Administrative Ungrej, por në këtë vit të ri shkollor, të tre katet e godinës janë në dispozicion të vetëm 35 nxënësve, të bashkuar në klasa kolektive”.

Numri i tyre është thuajse përgjysmuar duke e krahasuar vetëm me një vit më parë ku mësonin 61 nxënës.

Lëvizjet demografike brenda vendit, emigracioni dhe ulja e lindshmërisë kanë goditur kryesisht zonat rurale, duke sjellë shpopullimin e tyre. Për pasojë numri i nxënësve është tkurrur nga viti në vit. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Arsimit tregojnë mbylljen e 355 institucioneve arsimore gjatë 3 viteve të fundit, 68 prej të cilave vetëm këtë vit shkollor.

Pjesa më e madhe e tyre me klasa kolektive, të cilat kyçën dyert me transferimin e pak nxënësve te mbetur nëpër të tjera shkolla. Në vitin 2018-2019, Ministrja e Arsimit deklaroi se 10 000 nxënës më pak u ulën në bankat e shkollës, ndërsa nga të dhënat e këtij viti rezulton se 2000 të tjerë janë larguar nga sistemi arsimor.

Aktualisht 922 shkolla kanë më pak se 50 nxënës. Teksa numri i nxënësve sa vjen e ulet, fenomenet që po ndikojnë drejtpërdrejtë në shpopullim, si rënia e lindshmërisë apo emigracioni, po vijojnë në mënyrë ritmike.

Tv Klan






Të ngjashme