2 vjet pas vrasjes së Azem Hajdarit (12 Shtator 2000)
Sot mbushen plot 2 vjet nga dita e vrasjes së liderit të dhjetorit Azem Hajdari. 15 plumba i morën jetën natën e 12 shtatorit 1998 deputetit të Partisë Demokratike Azem Hajdari dhe bodyguardit të tij Besim Çerja ku mbeti i plagosur bodyguardi tjetër Zenel Neza. Dy vjet pas kësaj vrasje dhe trazirave që ndodhën dy ditët më pas, autorët e masakrës janë identifikuar nga drejtësia shqiptare.
Vetëm pak ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se përfundoi faza e parë e hetimeve ku tashmë janë bërë të njohur rrjedha e ngjarjes dhe autorët e atentatit. Sipas Prokurorisë emrat e tyre i janë bërë të njohur dhe Ministrisë së Rendit të cilës i janë dorëzur dhe urdhërarrestet. Asnjë nga emrat e atentatorëve të Hajdarit nuk bëhen të ditur publikisht për shkak të rëndësisë së veçantë nga kapja e tyre, por dhe për të mos ndikuar politikisht në këto ditë fushate.
Në këto dy vjet hetime, opozita shqiptare ka akuzuar shpesh Prokurorinë për mos gjetjen e autorëve të vrasësve së Hajdarit, ndërkohë që vetë përfaqësuesit e akuzës kanë akuzuar Partinë Demokratike dhe krerët e saj për mosdhënie informacionesh dhe mosbashkëpunim me ta. Megjithatë sot 2 vjet kur Azemi nuk është më dhe për vrasjen e tij janë hedhur shumë hipoteza, pritet arrestimi i autorëve pas identifikimit nga Prokuroria./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj