20 familje shqiptare në SHBA preken nga uragani Harvey
Uragani Harvey goditi qytetin Houston në Shtetet e Bashkuara të Amerikës fundjavën e kaluar, duke shkaktuar dëme të mëdha. Nga uragani janë prekur edhe shumë familje shqiptare, të cilat jetojnë në këtë qytet.
Ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Luli-Faber ka bërë me dije se janë të paktën 20 familje shqiptare që janë prekur nga pasojat e uraganit “Harvey”.
Këtë deklaratë ajo e ka bërë në një postim në Facebook, ku shkruan se përveç dëmeve materiale nuk ka pasoja në jetë njerëzish.
“Nga kontaktet me autoritetet kemi mësuar se deri tani nuk ka patur fatalitete ndërmjet familjeve shqiptare. Kam kontaktuar me drejtuesit e organizatës Arberia Houston dhe jam informuar se janë të paktën 20 familje shqiptare të prekura totalisht nga kjo fatkeqësi natyrore duke iu rrëmbyer shtëpitë, makinat, dhe të gjithë pasurinë që ato kanë. Së pari, shpresoj thellësisht që të gjithë të mbeteni jashtë rrezikut për jetën! Qyteti i Hjustonit është akoma nën kërcënimin e faktorëve të natyrës, por edhe nën gjendje emergjence për arsye të rritjes së kriminalitetit në qytet.
Ju inkurajoj të bëni atë që shqiptarët bëjnë më mirë, të qëndroni sa më afër dhe ndihmoni njëri-tjetrin. Mos u ndjeni se jeni larg vendit, të afërmve apo miqve tuaj. Ju siguroj që vëmendja jonë është atje në Hjuston!”
, shkruan ambasadorja shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Nga përmbytjet vdekjeprurëse të uraganit Harvey në Houston kanë humbur jetën të paktën 20 persona dhe mijëra të tjerë kanë mbetur të pastrehë.
/tvklan.al