200 kg drogë, armë e municione. Dy në pranga
Policia e Vlorës ka sekuestruar plot 200 kilogramë marijuanë, armë dhe municione, ndërsa ka ndaluar edhe dy persona. Të arrestuarit janë Çoban Tozaj, 49 - vjeç, banues në fshatin Mallkeq dhe Mateos Bregu, 24 - vjeç, banues në fshatin Kocul, të Vlorës.
Falë informacioneve të marra në rrugë operative, policia thotë se ka bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes dhe kapjen e dy të dyshuarve në një banesë pranë fshatit Mallkeq. Gjatë kontrollit të ushtruar është gjetur një sasi me lëndë narkotike marijuanë, me peshë totale prej 200 kilogramë. Banesa, sipas policisë ishte e pabanuar dhe në pronësi të 49 - vjeçarit Çoban Tozaj, Tozaj dhe Bregu, në bashkëpunim me njëri - tjetrin dyshohet se kishin për qëllim destinacionin e trafikimit të lëndës narkotike drejt Italisë. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 200 kg lëndë narkotike "Marijuanë", 2 armë zjarri "Automatik-model 56", 4 krëhër të mbushur me fishekë, 300 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm.Ndërkohë, mbrëmjen e së martës po në Vlorë, policia sekuestroi 215 kilogramë kanabis në një mjet tip BMW- X5 me të cilin po transportohej droga. Drejtuesi kur pa që po ndiqej, rriti shpejtësinë dhe në një rrugë dytësore pranë fshatit Sherisht dhe braktisi automjetin së bashku me lëndën narkotike./
tvklan.al