2010, fillim i mbarë për bursat botërore
Tregjet botërore e nisin vitin e ri me këmbë të mbarë. Me t’u hapur të hënën një valë e madhe aktivitetesh tregtare, i dhanë një shtysë pozitive indekseve europiane dhe ngjallën shpresën se më në fund ekonomia botërore po nis rimëkëmbjen.
Pas 15 muajsh humbjesh Indeksi i Londrës FTSE 100 udhëheq bursat me mbi 35.56 pikë, Gjermania Dax u rrit me 51.42 pikë, ndërsa francezja CAC me 40 pikë.
Të lëkundura nga ana tjetër janë bursat amerikane, të cilat pavarësisht se u rimëkëmbën nga humbjet e fundvitit, patën një rritje minimale në deri 0.6 përqind. Në valutë Dollari humbi terren me 0.1 përqind kundrejt Yenit, ndërsa Euro po rimëkëmbet ndjeshëm me 0.2 përqind pas rimëkëmbjes ekonomike në eurozonë.
Edhe ari i zi ka njohur rritje në tregun ndërkombëtar, sidomos në atë aziatik, ku një fuçi naftë e papërpunuar u shit me 80 Dollarë. Çmimi u rrit pas mosmarrëveshjeve mes Rusisë dhe Bjellorusisë për arin e zi, çfarë solli ndërprerjen e furnizimit me naftën ruse për rafineritë në Bjellorusi.
Tv Klan