21 vjet në emigracion, pas tërmetit flenë në makinë. Gruaja: Burrin e kam të paralizuar, i lutemi shtetit të vijnë të na shikojnë


21 vjet në emigracion, pas tërmetit flenë në makinë. Gruaja: Burrin e kam të paralizuar, i lutemi shtetit të vijnë të na shikojnë

16:44 03/12/2019

Tërmeti i 26 Nëntorit shkaktoi 51 viktima, shumë të plagosur dhe dëme të mëdha në banesat e vendeve të prekura.

Eduard dhe Alma Kasa janë dy prej qytetarëve të shumtë të prekur nga tragjedia që tronditi Shqipërinë. Ata kanë dy apartamente në një pallat 7-katësh në lagjen 13 në Durrës, të cilat si pasojë e tërmetit janë dëmtuar dhe është e pamundur që të mund të rikthehen sërish aty, për shkak të frikës se mund të shembet pallati dhe banesa mund t’i zërë brenda.

Tvklan.al ka vizituar nga afër këtë familje dhe ka parë situatën e rëndë ku ndodhet çifti i bashkëshortëve.

Është shembur komplet, edhe struktura. Unë jam banor i lagjes i 13 dhe ky është me gjithë garazhin poshtë, një pallat 7 katësh. E gjithë pasuria ime që kam mbledhur jashtë shtetit, kam 21 vjet emigracion, kam ardhur kam investuar në Shqipëri. Kjo shtëpi është me hipotekë, me të gjitha rregullat”.

Prej 5 ditësh janë duke jetuar në makinë, por situata është tejet e vështirë për ta. Alma tregon mes lotësh se bashkëshorti i saj Eduardi është i paralizuar.

 “Momentalisht jemi duke ndenjur në makinë. Burrin e kam të sëmurë shumë, i paralizuar, ka pasur një aksident me korrentin. Kur e shoh që se kam burrin mirë shkojmë tek ndonjë i afërm, por të shumtën e rasteve rrimë në makinë. I kemi dhe të afërmit të gjithë jashtë dhe s’kemi ku të vemi. Ne shtetit s’po i kërkojmë as shtëpi, me hëngër, as veshje me u veshur, thjesht të vinë ta shikojnë, nëse mund të hyjmë brenda ose jo… Në rast të kundërt do vrasim veten. E vërteta kjo është se unë nuk kam të ardhura të tjera. Ju e shihni tim shoq si është. Unë s’kam të ardhura të tjera. Jam vetë i gjashtë me 3 goca. Gocat i kam çuar tek një shoqja ime dhe vetë jam me burrin. E gjithë pasuria e familjes sime janë këto dy apartamente. Që ta kisha burrin e saktë. Burrin në punë e kapi korrenti dhe ka 5 vjet tani në Qershor. Një vit i paralizuar, pa lëvizur fare. Kokën e ka hekur, këmbën e djathtë nuk e lëviz fare...”

Ajo tregon se së bashku me burrin e paralizuar kanë marrë përsipër rrezikun për t’u ngjitur tek apartamentet dhe për të marrë sa gjëra mund të marrin nga shtëpia e tyre për t’i shpëtuar, sepse ato janë e vetmja pasuri që kanë.

Kam hyrë me rrezikun se mund të na zejë brenda, bashkë me burrin që të marrim gjërat dhe t’i çojmë ku tek njëri, ku tek tjetri, tek garazhet poshtë pallateve. I lutem shtetit të na ndihmojë, ta vejë dorën në zemër, të paktën të vijnë të na shikojnë”./tvklan.al






Të ngjashme