26 familje të evakuuara në Shkodër, bie niveli i ujit
Niveli i ujit mëngjesin e kësaj të shtune është ulur me 10 – 15 centimetra në Shkodër. Në një njoftim për mediat, Ministria e Mbrojtjes thotë se sipërfaqja e përmbytur në këtë Bashki aktualisht është 4 888 ha, nga të cilat 2 320 ha të mbjella me jonxhë.
Deri më tani mësohet se janë 26 familjet e evakuuara, 2 mijë banorë janë lehtësuar me transportin e përditshëm, ndërsa janë evakuuar e po trajtohen me bazë ushqimore 2 500 krerë bagëti.
“Bashkë me banorët, Forcat e Armatosura kanë përforcuar 650 metra argjinaturë në Pentarë e Cas. Nga Ministria e Mbrojtjes dhe Rezervat e Shtetit janë shpërndarë mbi 30 mijë kg ushqime e detergjentë, 23 mijë litra ujë e më shumë se 53 mijë kg
koncentrat”,
thuhet më tej në njoftimin e Ministrisë.
300 ton koncentrat e qindra ton ujë pritet të shpërndahen ditë pas dite, ndërsa nga Rezervat e Shtetit janë shpërndarë pako ushqimore, shtretër, çadra, batanije e çizme për banorët në vështirësi.
Ministria e Mbrojtjes thotë se që prej datës 5 Mars, në Shkodër janë angazhuar 600 efektivë të FA.
Ndërkohë të premten, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka i bëri thirrje pushtetit vendor dhe administratorëve lokalë
, “të lënë llafet e propagandën boshe të politikës ndarëse të ditës dhe të marrin masat për koordinim in e shpërndarjes, në bazë të nevojave, pa dallim, për të gjithë banorët në zonat e rrethuara nga uji”.
Xhaçka tha se Forcat e Armatosura po punojnë natë e ditë për shpërndarjen e ndihmave, sipas planifikimit të Komisionit të Emergjencave përmes Prefekturës dhe strukturave vendore.
“Bashkëpunimi mes forcave të ushtrisë, institucioneve të qeverisë dhe pushtetit vendor është detyrimi ynë i përbashkët dhe vendosja e qytetarëve në qendër të përpjekjeve të përbashkëta, është nderi i çdokujt që paguhet nga taksat e tyre”,
tha më tej Ministrja.
/tvklan.al