3 mln gjobë kot, videoja nxjerr zbuluar inspektorët
Luan Butuku denoncon në emisionin “STOP” një gjobë të padrejtë prej 3 milionë lekësh, që ka marrë për duhanpirje në lokalin e tij në rrugën e Kavajës. Ai thotë se inspektorët e Shëndetit Publik i kanë kërkuar Nipt-in dhe i kanë vënë gjobë, edhe pse në atë moment në lokal nuk kishte asnjë klient.
Për të provuar atë që thotë, Luani na ve në dispozicion edhe videon e lokalit, ku përveçse tregon që nuk ka njeri, shfaqen qartë tavolinat pa tavulla dhe shenjat e ndalimit të duhanit. Emisioni ”STOP” iu drejtua për këtë padrejtësi Institutit të Shëndetit Publik, por zëvendëskryeinspektorja tha se gjoba është e drejtë, me arsyetimin e vetëm se nuk ka motiv që inspektorët të vënë gjobë pa shkak."I jemi drejtuar emisionit "STOP" për një padrejtësi që na është bërë, një gjobë për duhanpirje. Ndërkohë që brenda në ambientet nuk ka pasur asnjë shkelje të ligjit. Tavolinat kanë qenë pa tavlla, njoftimi i duhanpirjes është në xham është ngjitur. Nuk shoh ndonjë shkelje ligji."
Ai tregon se inspektori hyri në lokalin e tij, i kërkoi Nipt-in dhe plotësoi procesverbalin e gjobës, për të cilën denoncuesi është vënë në dijeni pas 4 ditësh që i ka ardhur gjoba me vlerë 3 milionë lekë të vjetra. Luan Butuku vendosi në dispozicion të emisionit "STOP" kamerat e lokalit për të vërtetuar pretendimin e tij. Pamjet shfaqin lokalin bosh dhe tavolinat që nuk kanë qenë të pajisura me tavull në momentin që ka hyrë inspektori i Institutit të Shëndetit Publik. Gazetarja iu drejtua këtij instituti për të pyetur rreth vendosjes së padrejtë të gjobës në subjektin e denoncuesit. Gazetarja - Inspektorët kanë bërë një monitorim të zakonshëm nëpër lokale, të cilët shikojnë nëqoftëse brenda ka konsumatorë të duhanit apo jo. Kemi një rast ku ka shkuar inspektori dhe ka plotësuar direkt procesverbalin dhe në atë moment nuk ka qenë askush në lokal. Thjesht ka plotësuar procesverbalin dhe ka vendosur një gjobë prej 3 milionë lekësh të vjetra. Si ka mundësi të plotësohet ky procesverbal në momentin që nuk figurohet shkelja? Zv\Kryeinspektorja e ISHSH-
Po shkeljen nuk e përcaktoni ju apo unë.
Gazetarja - Po kush? Zv\Kryeinspektorja e ISHSH - Masa administrative, ligji. Po ta kishit lexuar pak më përpara, do kishit përgjigje të atyre pyetjeve. Gazetarja - Në momentin që ka shkelës ... Zv\Kryeinspektorja e ISHSH -Joo, joo... që kur s’ka rregulloren të afishuar, mund të ketë tavulla, s’ka logon. Për të gjitha këto arsye, merr gjobë 3 milionshin. Pra, jo vetëm në momentin kur të gjen me duhan.
Gazetarja - Unë këtu e kam të shënuar arsyen. Një sekondë, më fal të lutem. “Duhanpirje në momentin e kontrollit. Nuk zbatohet ligji”- thotë. Zv\Kryeinspektorja e ISHSH -Dhe sipas teje, këtu nuk pihej duhan?
Gazetarja - Po! Zv\Kryeinspektorja e ISHSH -Si e ke të provuar?
Gazetarja - Me video. Në momentin që ka qenë grupi i inspektorëve, inspektori më saktë ... Zv\Kryeinspektorja e ISHSH -Po, mund ta shoh?
Gazetarja - Po! Zv\Kryeinspektorja e ISHSH -Nuk gjej asnjë arsye që një inspektor i një qarku tjetër të vijë e të bëjë një veprim të tillë. Atëherë, mua më lë të dyshoj.
Ose ai ka manipuluar në kamer, që ke specialistë sa të duash për të manipuluar dhe nuk është fakt për mua, se edhe gjykata nuk e merr për fakt kur nuk është e autorizuar për të bërë një filmim të tillë.
Gazetarja - Më fal! Në momentin që shikoni një shkelje të tillë, thjeshtë thoni nuk e besoj dhe kaq ... Dhe qëndroni duarkryq! Zv\Kryeinspektorja e ISHSH -Jo,jo moj goce, edhe njëherë ...
Gazetarja - Atëherë, kemi një lokal bosh. Unë kam pamjet, shkon tjetri thotë: "Bjer numrin e Nipt-it, ulet në tavolinë, plotëson procesverbalin, 3 milionë lekë gjobë!" Zv\Kryeinspektorja e ISHSH -Po, unë nuk e pranoj që është kështu.
Gazetarja - Po, mirë pra, unë e pashë. Zv\Kryeinspektorja e ISHSH -Po, mirë pra, ti e pe dhe unë s’e pranoj që është kështu po them. Se s’ka shanse që të më çojë në këtë logjikë.
Gazetarja - S’ka shance?! Jo, unë i besoj syve të mi. Zv\Kryeinspektorja e ISHSH -
Po ti i beson syve të tu dhe ti je katërcipërisht e bindur që ajo pamja filmike që të është ofruar ty është ekzaktësisht ashtu? Dhe mund të mos jetë një filmim i një dite tjetër, kur realisht mund te jetë ashtu?!
Gazetarja - Atëherë, teknologjia të siguron datën dhe orën. Zv\Kryeinspektorja e ISHSH -Jo, nuk më siguron mua. Siguron specialisti që merret me teknologjinë. /tvklan.al