30.8 gradë Celcius në Janar
Vapë si të këtij viti, australianët nuk kishin përjetuar ndonjëherë, të paktën që prej 109 vitesh, qëkur nisën të regjistroheshin temperaturat. Meteorologët thonë se mesatarja e temperaturave të Janarit, që shënon pikun e vapës, arriti në 30.8 gradë Celcius, 2.9 gradë më shumë se në vitet e kaluara.
Temperatura mesatare e përllogaritur për periudhën mes viteve 1961-1990 arrin në 27.9 gradë Celcius. Vapa e këtij viti theu rekordin e mëparshëm të regjistruar verën e viteve 2012-2013, kur temperaturat arritën 1.28 gradë mbi normalen.
Këtë verë, australianët përjetuan për ditë të tëra temperatura përvëluese që arrinin në gati 50 gradë Celcius. Sipas ekspertëve, gjithçka është pasojë e ngrohjes globale dhe temperatura të tilla ishin të paralajmëruara.
Këtë vit, Australia u përball me rreth 90 zjarre masive gjatë verës, por edhe me thatësirë që u shkaktoi dëme të konsiderueshme, kryesisht fermerëve. Edhe sezoni i shirave parashikohet të sjellë përmbytje të mëdha në gjithë vendin.
Tv Klan