30 fëmijë dhe 4 gra shtatzëna të infektuar me Covid-19


30 fëmijë dhe 4 gra shtatzëna të infektuar me Covid-19

12:46 28/04/2020

30 fëmijë janë infektuar gjithsej me koronavirus në vendin tonë. Këtë e ka konfirmuar këtë të martë drejtoresha e ISHP-së Albana Fico gjatë një deklarate për mediat. Ajo u shpreh se 11 prej tyre janë shëruar. Ndërkohë pjesa tjetër, fatmirësisht nuk është prekur në forma të rënda.

“Fatmirësisht fëmijët janë një kategori që duke u bazuar në eksperiencën tonë nuk preken në forma të rënda. Nuk kemi pasur dhe nuk kemi fëmijë të shtruar në spital. Kemi 11 fëmijë të shëruar nga 30 që janë konfirmuar pozitivë”, tha ajo.

Aktualisht në Shqipëri është një grua shtatzënë rast aktiv me Covid-19. Fico tregoi se tre të tjera, gjithashtu shtatzëna, janë shëruar nga sëmundja.

“Katër gra shtatzëna që kanë qenë të prekura me Covid-19, 3 prej tyre tashmë janë të shëruara”, tha ajo.

Fico u shpreh gjithashtu se përveç burgut 313 janë konfirmuar me Covid-19 edhe dy të burgosur që kanë qenë në paraburgim dhe ata janë transferuar.

Sa i përket testeve serologjike, drejtoresha e ISHP-së tha se po kryhet në mënyrë të gjerë për personelin shëndetësor. Ajo u shpreh se ISHP-ja është e interesuar që të vlerësojë edhe gjendjen e imunitetit të popullatës.

“Testet serologjike janë të rëndësishme për të kuptuar gjendjen e kundër trupave në popullatë. Patjetër jemi të interesuar të vlerësojmë situatën e popullatës dhe grupeve të caktuara”, theksoi Fico./tvklan.al






Të ngjashme