4 bashki me humbje në rrjetin ujësjellës
Bashkitë të cilat nuk do të kënë performancë të mirë në ujësjellës kanalizime nuk do të marrin financime nga qeveria. Gjatë një vizitë në zyrat e Shërbimit ndaj Klientit në Ujësjellësin e qytetit të Beratit, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri tha se pavarësisht investimeve të shumta, ujësjellësat në katër bashkitë rezultojnë me humbje ndaj do vijojë aksioni për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e ujit.
Damian Gjiknuri :
“Disa shenja të para janë pozitive. Kërkohet një punë akoma më e madhe nga ujësjellësi këtu por edhe nga vet bashkia. Ne e kemi thënë, qeveria këto instrumente ka: sensibilizon, mbështet financiarisht, mbështet me institucionet e tjera për të luftuar ilegalitetin, por në fund të fundit bashkitë janë vet përgjegjëse. Nëse ata do të duan që investimet të vazhdojnë dhe të përmirësohet furnizimi me ujë, duhet patjetër të formalizohen, duhet patjetër ta mirë administrojnë dhe u lind detyra ju, të zgjedhurve vendor por edhe ju si përfaqësues të aksionerëve që në këtë rast janë qytetarët e Beratit që këtë proces ta merrni shumë seriozisht”.
Në Bashkitë e Qarkut të Beratit janë investuar 3.3 miliard lekë në ujësjellës/kanalizime. Nga aksioni me ndërmarrjet e ujësjellës/kanalizimeve për t’i dhënë fund paligjshmërisë, për tre muajt e fundit 321 abonentë kanë lidhur kontrata të reja dhe janë instaluar 1196 ujëmatësa.
Tv Klan