4 shqiptarë në pranga, transportonin 250 kg kanabis në Greqi
Katër shqiptarë dhe një person i pestë janë arrestuar nga policia greke në Grevena duke transportuar lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Sipas mediave greke, shqiptarët e arrestuar janë të moshës 27, 29, 32 dhe 27 vjeç, ndërsa identiteti i tyre nuk bëhet me dije.
Ata transportonin drogën me dy makina. Në automjetin e parë udhëtonin dy prej shqiptarëve dhe shtetasi grek, të cilët kontrollonin rrugën. Ndërsa në mjetin e dytë ndodheshin dy shqiptarët e tjerë, të cilët po transportonin 248 kg kanabis të papërpunuar. Policia, e cila kishte organizuar aksionin anti-drogë, bëri të mundur arrestimin e transportuesve të lëndëve narkotike.
Kanabisi i ndarë në 80 pako u sekuestrua, si dhe 540 Euro, një kartë identiteti greke false, 9 celularë dhe dy automjetet e tyre. Njëri prej shqiptarëve që ishte shofer i makinës së parë, ka qenë në kërkim që prej 15 Shkurtit të vitit 2013, si i arratisur nga burgu i Trikallas, ku vuante dënimin për drogë. Hetimet e policisë greke janë duke vazhduar.
/tvklan.al