4 viktima dhe 12 raste të reja me Covid në Kosovë


4 viktima dhe 12 raste të reja me Covid në Kosovë

17:01 10/10/2021

102 pacientë të shtruar në spitale

Është rritur sërish numri i viktimave si pasojë e koronavirusit në Kosovë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë atje në 24 orët e fundit katër qytetarë të tjerë nuk e kanë fituar dot betejën me korona, duke e çuar në 2970 numrin total të viktimave.

Ndryshe paraqitet situata me përhapjen e virusit, pasi këtë të diel autoritetet shëndetësore në Kosovë raportuan për vetëm 12 raste të reja.

Përmirësimi i situatës pandemike është reflektuar edhe në spitale, ku numri i pacientëve që kërkojnë trajtim të specializuar mjekësor vijon të ulet.

Sipas shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës në klinikat Covid-19 dhe spitalet e përgjithshme, po trajtohen 102 pacientë, nga të cilët 66 janë në oksigjeno-terapi dhe 5 në gjendje të rënduar shëndetësore.

Drejtori i Klinikës Infektive në Prishtinë, Arben Vishaj thotë se mutacionet e viruseve dhe shfaqja e formave të rënda për një kohë të gjatë po lënë pasoja të rënda te pacientët.

 “Jemi duke e vërejtur se te pacientët që zgjat prania e infeksionit në mushkëri prania e ndryshimit në mushkëri bëhen të tilla që këta pacientë në të ardhmen kanë vështirësi të mëdha me rikuperimin e tyre dhe rikthimin në normalitet sepse dëmtimet janë të mëdha saqë disa pjesë të mushkërive iu dalin edhe prej funksionit”.

Prej nisjes së pandemisë në Kosovë janë konfirmuar 160,374 raste me koronavirus ndërsa numri i rasteve aktive është 1.157.

Tv Klan






Të ngjashme