4 vjet nga Shenjtërimi i Nënë Terezës
Katër vite më parë, më 5 Shtator 2016, botës ju shtua një shenjtore e re, Shenjta Terezë.
Në një ceremoni të posaçme në sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Papa Francesku njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së Nënë Terezës në vitin 1997.
Nënë Tereza, e njohur si Anjeza Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur në vitin 1910 në një familje shqiptare në Shkup. Në moshën 18-vjeçare u bë murgeshë.
Fillimisht u specializua në Irlandë dhe më pas shkoi në qytetin Kalkuta të Indisë. Në vitin 1950 themeloi urdhrin e murgeshave, Misionarët e Bamirësisë. Qëllimi i saj i vetëm ishte të ndihmonte njerëzit e vuajtur, të pamundurit dhe t’u shërbente të vërfërve, gjë që e bëri deri në fund të jetës së saj.
Politika uron përvjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës
Lulzim Basha: “Dita e shenjtërimit të Nënë Terezës, simbolit të dashurisë, dhembshurisë dhe kujdesit për të varfërit e të pamundurit, është mbi të gjitha një ditë reflektimi për gjendjen ku ndodhet vendi dhe për çfarë duhet të bëjmë për të lehtësuar sa më shumë jetën e bashkëqytetarëve tanë që sot gjenden mes vështirësive dhe pamundësive. “Edhe ata që s’mund të bëjnë dot gjëra të mëdha, mund të bëjnë gjëra të vogla me dashuri të madhe.” Kjo thënie e Nënë Terezës le të jetë frymëzim për të nisur së bashku ndryshimin, për të ndërtuar një jetë më të mirë për bashkëqytetarët tanë, me më shumë përkujdesje për të pamundurit, me mundësi për punë e jetë më të mirë për bashkëqytetarët tanë, për ditë më të mira për popullin dhe vendin tonë”.
/tvklan.al