42 të vrarë dhe 239 të plagosur nga sulmet terroriste në aeroportin e Stambollit
Turqia shpalli sot ditën e zisë kombëtare, pas masakrës në aeroportin “Ataturk”, në Stamboll, ku mbetën të vrarë 42 persona dhe u plagosën 239 të tjerë, 128 prej të cilëve po mbahen në spital.
Autoritetet turke njoftuan se bilanci i viktimave nga sulmi i trefishtë kamikaz ka gjasa të rritet në orët e ardhshme. Të paktën 13 nga të vrarët konfirmohet se janë të huaj.
Përpara shpërthimit të bombave, njëri nga terroristët hapi zjarr ndaj njerëzve me automatik tip kallashnikov, me qëllim krijimin e kaosit dhe shmangien e vëmendjes nga 2 kamikazët e tjerë. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur një oficer policie plagos terroristin me kallashnikov, por nuk arrin të ndalojë aktivizimin e jelekut ekzploziv që ai mbante veshur.
Agjencia e lajmeve “Doan” raportoi se pas autopsisë që iu bë tre kamikazëve, ka dyshime se ata janë shtetas të huaj, por ende nuk ka konfirmime zyrtare.
Mediat e huaja, që citojnë burime nga policia turke, raportojnë se komandoja terroriste e aeroportit Ataturk ishte e përbërë nga 7 persona, përveç 3 kamikazëve, dyshohet se janë edhe 3 bashkëpunëtorë ende në arrati, ndërsa mësohet se është arrestuar personi i 7 dhe është një grua.
Momentalisht asnjë grup terrorist nuk e ka marrë përsipër sulmin, por dyshimet bien mbi Shtetin Islamik.
Turqia është bërë shpeshherë shënjestër e atentateve terroriste që mbajnë firmën e ISIS dhe separatistëve kurdë të PKK-së. Ky është sulmi i 6-të në vend ndaj pikave kyçe të metropoleve apo qendrave turistike.
Tv Klan
https://www.youtube.com//embed/wAIOZ-1uccs