49-vjeçarja: Burri më thoshte do vras fëmijët dhe pastaj ty
Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e një gruaje 49-vjeçare. Gjelina është nënë e 3 fëmijëve dhe prej 18 vitesh ka përjetuar dhunë të vazhdueshme nga ana e bashkëshortit të saj.
Ajo tregon se burri i saj ishte shumë xheloz për çfarëdolloj veprimi të saj, gjithmonë e kontrollonte dhe madje edhe e izolonte.
Më tej, nëna e fëmijëve tregon se bashkëshorti i saj, që sot gjendet në burg mbante dhe armë në shtëpi dhe e kërcënonte se do vriste fëmijët dhe më pas edhe atë.
Gazetarja: Sa vite martesë së bashku me këtë njeri?
Gjelina: 18 vite!
Gazetarja: Si ishte kjo martesë?
Gjelina: Xhelozi ka patur që në fillim.
Gazetarja: Për çfarë arsye?
Gjelina: Ishte shumë, për çfarëdolloj arsye. Nuk më linte të flisja me komshinjtë, të flisja me njerëzit rrugës, shiko drejtimin tënde më thoshte. Me izoloi. Ishte shumë xheloz.
Gazetarja: Ju punonit?
Gjelina: Jo nuk kam punuar. Ne ishim në Greqi në fakt prej 8 vitesh. Atje kam lindur të tre fënijët.
Gazetarja: Pastaj vendosët të ktheheshit në Shqipëri?
Gjelina: Po nuk kishte punë edhe u kthyem në Shqipëri.
Gazetarja: Ka qenë i dhunshëm?
Gjelina: Po shumë, shumë. Ka patur xhelozi, po kishte shumë gjëra të tjera që arriti puna deri këtu.
Gazetarja: Çfarë kishte?
Gjelina: Një herë u fut brenda për dhunë, si tek unë edhe tek fëmijët. Pastaj më flisnin njerëzit më thoshin që ke tre fëmijë, nuk i mban dot, të rriten me prindër. I thashë unë që shpirti im e di se sa ka vuajtur. Unë tërhoqa denoncimin dhe thashë do kalojmë jetë tamam, normale, do kthejë. Do bëhet pishman për çdo gjë që ka bërë, do kalojmë jetë. Ai filloi akoma më keq.
Gazetarja: Ju na keni shkruar një mesazh të gjatë dhe flisni për një moment që është i frikshëm. Ju thoni që ai rrinte me armë në shtëpi?
Gjelina: Po, ja e mbante armën m’u këtu (tregon divanin). Këtu e mbante armën dhe thoshte do të vras fëmijët më përpara, pastaj do të vras ty, që t’i shikosh ti fëmijët. I thoja çfarë të kam bërë që do më vrasësh mua dhe fëmijët?/tvklan.al