5 viktima nga Covid në 24 orë
154 raste të reja, shkon në 160 numri i të shtruarve
Pesë persona nuk e kanë fituar dot betejën me Covid-19 në 24 orët e fundit duke e çuar në 259 numrin total të viktimave që nga shfaqja e pandemisë në vendin tonë.
“Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen; një 56-vjeçar nga Durrësi, një 73-vjeçar nga Tirana, një 73-vjeçar dhe një 81-vjeçar nga Korça, një 75-vjeçar nga Lezha, me sëmundje bashkëshoqëruese”.
Situata mbetet shqetësuese, pasi është rritur ndjeshëm numri i qytetarëve që po trajtohen në dy spitalet Covid.
“Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 160 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 13 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar. Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 38 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes. Ndërsa vijojnë të trajtohen edhe pacientë të dyshuar për COVID19, sipas protokolleve përkatëse”.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se në 24 orët e fundit janë kryer 870 testime, nga të cilët janë konfirmuar 154 raste të reja.
“Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 94 raste në Tiranë e cila aktualisht cilësohet nga vatrat më të nxehta të infeksionit, 11 raste në Durrës, 7 raste në Korçë, 6 raste në Kavajë, 5 raste në Shkodër, nga 4 raste në Elbasan Kamëz, nga 3 raste në Devoll, Lezhë, Bulqizë, nga 2 raste në Berat dhe Pogradec, nga 1 rast në Krujë, Fier, Kukës, Sarandë, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Memaliaj, Shijak, Vorë, Cërrik”.
Nisur nga situata epidemiologjike, autoritetet shëndetësore u bëjnë apel qytetarëve të tregohen të kujdesshëm në respektimin e masave për parandalimin e ketij infeksioni.
Tv Klan