500 mijë doza vaksine, Basha: Shumë pak dhe shumë vonë

Lulzim Basha, kreu i PD

500 mijë doza vaksine, Basha: Shumë pak dhe shumë vonë

13:23 01/01/2021

500 mijë vaksinat e para të siguruara nga qeveria shqiptare nga kompania Pfizer, Lulzim Basha thotë se janë shumë pak dhe shumë vonë, krahasuar me vendet e tjera. Kreu i opozitës e akuzon Kryeministrin se po përpiqet t’i shesë dështimet si suksese.

“Si përherë Rama përpiqet t’i shesë dështimet si suksese. Shqipëria është vendi që jep ndihmën më të vogël ekonomike për qytetarët e saj. Rama premton të sjellë shumë pak vaksina, dhe shumë vonë krahasuar me vendet e tjera. Serbia ka nisur ndërkohë vaksinimin, ndërsa Rama shkoi në Nju Jork për të blerë këpucë të reja! Ky i dështuar duhet të largohet nga qeverisja, që Shqipëria të ndryshojë e të shpresojë sërish”, shkruan Basha në një postim në Twitter.

Ndërsa në një reagim të dytë, Basha tha se vaksina më e mirë për Shqipërinë është largimi i Ramës.

Edhe me vaksinat e njëjta histori si me dështimet e Ramës këto 7 vjet. Premtoi 300 mijë vende pune dhe shtoi papunësinë dhe varfërinë, rriti koston e jetës dhe shkatërroi ekonominë. Vaksina më e mirë për Shqipërinë është largimi i Ramës. Vetëm kjo do na lëvizë nga dështimet drejt suksesit, nga dëshpërimi drejt shpresës”.

Kryeministri Rama njoftoi këtë të premte se dozat e para të vaksinës anticovid do të mbërrijnë në fillim të javës së tretë të Janarit, një tjetër pjesë në Shkurt, e kështu me radhë, muaj pas muaji./tvklan.al






Të ngjashme