500 mije makina duhet të kthehen në “Euro 3”
Janë 500 mijë makina në Shqipëri të cilat nuk përmbushin standardin Euro 3. Mosha mesatare e tyre është 18.5 vite. Ministria e Mjedisit do të propozojë në qeveri një nisëm ligjore e cila do të detyrojë pronarët e këtyre mjeteve që të arrijnë standardin e duhur. Të ndërrosh mjetin apo ta kthesh atë në Euro3? Kjo do të jetë zgjedhja e qytetarit.
Sot, Drejtoria e Transportit Rrugor ka 620 mijë makina të regjistruara. 80% e tyre do tu duhet t’i nënshtrohen kthimit të motorit në standardin Euro3. Klasifikimi në nivelin euro 1 dhe deri euro 6 së fundi në Europë, matet në bazë të sasisë së çlirimit të dioksidit të karbonit në ajër. Nëse dikujt i leverdis më shumë të mbajë automjetin duke bërë ndryshimin e motorit, nuk është i detyruar që ta nxjerrë atë jashtë përdorimit.
Projektligji ka shkuar për mendim në të gjitha ministritë e linjës, ndërsa ajo e Transporteve është duke bërë gati aktet se si do të zbatohet konkretisht nisma në momentin që do të bëhet kontrolli i mjetit. Të kontaktuar nga Tv Klan, zyrtarë të ministrisë së Mjedisit thonë se ndalimi më i madh do të jetë në importin e mjeteve. Nuk do të lejohet importi për asnjë makinë të përdorur që është e standardit euro 4, ndërsa automjetet e reja që blihen pranë konçesionarëve duhet të jenë euro 5. Shpenzimet më të mëdha do të rëndojnë mbi shoqëritë e transportit publik dhe privat, të cilat kanë dhe flotën më të vjetër të autobusëve. Po ashtu kosto do të ketë edhe për sektorin e bujqësisë, ku shumica e makinave të punës rezultojnë të jenë prodhuar në vitet 80’. Ministria e Mjedisit shprehet se 50-60% e ndotjes së ajrit në Shqipëri vjen nga makinat, dhe se jemi ende i vetmi vend në rajon që vijon të mbajë standardin euro 1.
Tv Klan