Rriten sërish infektimet ditore me covid
Humbin jetën 6 qytetarë të tjerë
Gjashtë qytetarë të tjerë e kanë humbur betejën me koronavirusin duke çuar në 1117 numrin total të viktimave që nga shfaqja e pandemisë në vendin tonë. Viktimat janë nga Tirana, Librazhdi, Shkodra, Tropoja, Kruja dhe Tepelena.
Nga të dhënat e bëra publike nga Ministria e Shëndetësisë, ashtu si edhe një ditë më parë, vihet re se mes viktimave ka dhe me moshë shumë të re, njëri prej tyre vetëm 37 vjeç.
Në 24 orët e fundit janë kryer 2210 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 503 qytetarë. Harta e përhapjes së rasteve të reja është e shtrirë në gjithë vendin, por Tirana vijon të mbetet vatra kryesore me 169 raaste, e ndjekur nga Shkodra me 27, Vlora me 26, Durrësi dhe Saranda me nga 23 raste.
Për të disatën ditë me radhë numri i të shtruarve në spitale vijon të shënojë ulje. Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 337 pacientë, 24 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.
Sërish Ministria e Shëndetësisë raportoi se numri i personave të shëruar është më i lartë se ai i infektimeve ditore. Sipas raportit më të fundit të bërë publik, janë shëruar 550 qytetarë, duke e çuar në afro 30 mijë numrin total të personave që e kanë fituar luftën me virusin. /tvklan.al