555 vjetori në Lezhë – (2 Mars 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Është festuar 555 vjetori i Beslidhjes së Lezhës. Realizuar në mënyrë krejt origjinale sot në qytetin ku Skënderbeu bahkoi princat arbëresh. Festa ka mbledhur personalitetet më të larta të vendit të cilet nderuan popullin lezhian. 20 kalorës dhe banda frymore e ushtrisë prinin rrugën për në Obeliskun kushtuar Beslidhjes.
Presidenti Mejdani, zëvendëskryeministri Meta, ish-lideri i socialisteve Fatos Nano dhe të tjerë personalitete vunë kurora me lule në memorial dhe më pas vizituan vendvarrimin e Skënderbeut. Pas disa këngëve të gupit “Pax Day”, foli presidenti Mejdani, i cili vlerësoi figurën e Princit Gjergj Kastrioti por dhe përmendi vlerat patriotike dhe paqedashese të popullit lezhian.
Pas fjalës së përfaqesuesve të fesë, trupit diplomatik, VIP-at e politikës ndoqën një spektakël të kalorësve të improvizuar. Ideuesi i këtij spektakli Shkëlqim Daja është munduar që me këto minimanovra të rikthehet pas në kohë për të kujtuar kohën e lavdishme të Arbërisë së Skënderbeut. Festimi i 555 vjetorit të Beslidhjes së Lezhës do të vazhdojë nesër në Tiranë./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj