58 kg drogë në makinën e braktisur, autori në arrati
Efektivët e policisë së Vlorës kanë sekuestruar 58 kilogramë kanabis, në një automjet të braktisur në aksin rrugor Orikum-Vlorë dhe kanë shpallur në kërkim drejtuesin e automjetit.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se pasi u konstatua se një automjet "Mitsubishi-Pajero" me targë AA 281 MZ, po lëvizte në aksin rrugor Orikum-Vlorë, dyshohej se transportonte lëndë narkotike. Edhe pse efektivët e policisë i kanë kërkuar drejtuesit të ndalojë, ai ka refuzuar duke përfituar nga errësira dhe më pas ka braktisur mjetin. Nga kontrolli i ushtruar brenda në automjet, policia ka gjetur 58 kilogramë kanabis, e cila ishte e ndarë në 3 pako, mbështjellë me qese celefoni ngjyrë kafe. Sipas policisë, dyshohet se është autor i kësaj ngjarje është 33 - vjeçari me iniciale Z.M, banues në fshatin Tragjas, i cili u shpall në kërkim. Aktualisht po punohet për arrestimin e tij./tvklan.al