6 paketa shëndetësore për sëmundjet e zemrës
Në bashkëpunim me fondin e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor, qeveria do të miratojë së shpejti 6 paketa, 3 të kardiokirurgjisë, by – pass, ndërrim valvule dhe operacione që kanë të bëjnë me keqformime të lindura si dhe 3 të kardiologjisë të procedurave hemodinamike siç janë angioplastika, angiografia dhe pacemaker. Për këto të fundit sektori publik mbulon vetëm 50% të tyre, ndërsa 50% do të përballohen nga sektori privat që do të subvencionohet nga shteti.
Teksa garantoi se nuk do të ketë më materiale mjekimi jo cilësore, ministri i Shëndetsisë, Ilir Beqaj, premtoi investime në aparaturat e koronarografisë, të cilat në spitalet publike do të jenë në funksion 24 orë.
Krahas paketave financiare që do të miratohen nga qeveria brenda këtij muaji, do të parashikohet edhe një normë fitimi për spitalet publike.
Miratimi i këtyre paketave synon edhe rritjen e konkurencës mes sektorit publik dhe atij privat.
Erjon Todhe