6 prokurorët e dosjes Hajdari vazhdojnë hetimet për këtë proces – (4 Prill 2001)


6 prokurorët e dosjes Hajdari vazhdojnë hetimet për këtë proces – (4 Prill 2001)

09:01 04/04/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

6 prokurorët e dosjes Hajdari, një ditë pas nisjes së procesit në gjykatën e Tiranës, sot edhe pse disi më të lehtësuar, e kanë nisur punën njësoj si në ditët e hetimeve. Të gjithë bashkë në Prokurorinë e Përbashkët, sot ata kanë analizuar punën e përbashkët, si dhe seancën e djeshme të gjyqit, ku për minuta të tëra shefi i grupit Haxhi Giu, ka renditur minutë pas minute ngjarjen e 12 Shtatorit 1998, kur u vra deputeti Azem Hajdari.

Sokol Stojani, Edmond Rizai, Artur Selmani, Shkëlqim Hajdari, Arqile Koca, si dhe Haxhi Giu, të gjithë prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore për 30 muaj rresht, kanë kërkuar, hetuar dhe më pas mbledhur fakte e prova, për atë që është quajtur vrasja e shekullit. Puna jonë nuk ka mbaruar ende, thonë ata edhe pse çështja tashmë nisi në gjykatën e Tiranës. Të 6 prokurorët e dosjes të asistuar edhe nga prokurorja norvegjeze, për 30 muaj rresht kanë hetuar vetëm për çështjen Hajdari.

Këta prokurorë, mosha mesatare e të cilëve është vetëm 30 vjeç, arritën të zbulonin mekanizmin e ngjarjes, si dhe emrat e autorëve të saj, disa prej të cilëve tashmë janë të arrestuar dhe disa në kërkim. Sot për herë të parë para një mikrofoni, shefi i grupit të prokurorëve të dosjes Hajdari, Haxhi Giu, ka folur për TV Klan për procesin gjyqësor dhe punën e tyre në ditët e ardhshme.

Prokurori Haxhi Giu:- “Grupi i prokurorëve të çështjes së Azem Hajdarit është optimist që hetimi gjyqësor do të shkojë normal. Ne kemi prova të mjaftueshme për të gjithë të pandehurit që kemi çuar në gjykatë dhe kërkojmë që të bëhet një gjyq i shpejtë. Mendojmë që ky proces gjyqësor është një shans i mirë për të gjithë ata persona të thirrur apo jo nga ana jonë, të cilët kanë dijeni për ngjarjen, për vrasjen e deputetit Hajdari”./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj






Të ngjashme