Putin zgjidhet President për herë të katërt
Triumf absolut i Vladimir Putinit në zgjedhjet presidenciale të Rusisë. Mandatin e katërt presidencial, të dytin radhazi e ka siguruar me mbi 75% të votave. Mbeten ende për tu numëruar më pak se 40% e fletëve të votimit, por rezultati është i qartë. Ndaj dhe Putin nuk priti zyrtarizimin e rezultatit për të shpallur fitoren, përpara mijëra mbështetësve që festonin në sheshin e kuq të Moskës.
“Kjo për mua nënkupton se njerëzit e vlerësojnë atë që ne kemi bërë në rrethana shumë të vështira. E shoh si një shenjë besimi dhe shprese. Populli shpreson që ne të vazhdojmë të punojmë fortë dhe me po aq përgjegjshmëri. Na duhet unitet për të ecur para.”
Njeriu që dominon politikën ruse prej vitit 1999 herë si president e herë si kryeministër, garoi në këto zgjedhje krahas 7 rivalëve të konsideruar si aspak të rrezikshëm. Rezultatet tregojnë se rivali më i afërt është komunisti Pavel Grudinin që ka 6 herë më pak vota. Ai që konsiderohej si një rival i fortë, lideri i opozitës Aleksei Navalni nuk u lejua të kandidonte si dënim ndaj akuzave për korrupsion. Navalni bëri thirrje për bojkot të zgjedhjeve, çka ka rënë në vesh të shurdhët. Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës arriti gati 60%. Por nuk kanë munguar edhe akuzat se shumë votues janë detyruar të zgjedhin Putinin kundër vullnetit të tyre e mes kërcënimeve.
Gjithsesi, Putin e ka shtuar mbështetjen popullore duke u shfaqur si shpëtimtari që e mban Rusinë të bashkuar para përpjekjeve përçarëse të perëndimit. Mbështetja u rrit edhe pasi i mori Ukrainës Krimenë në vitin 2014, krahinë me të cilën rusët i lidh shpirtërisht e shkuara, si edhe falë ndërhyrjes së suksesshme në Siri në betejën kundër xhihadistëve.
Tv Klan