Heshtin dy të arrestuarit për 613 kg kokainë


Heshtin dy të arrestuarit për 613 kg kokainë

15:30 01/03/2018

Dy të arrestuarit për ngarkesën me 613 kg kokainë, në portin e Durrësit, nuk kanë pranuar të flasin në polici në lidhje me sainë rekord të drogës të bllokuar në një kontejner të një kompanisë “Arbri Garden”, për llogari të së cilës ata punonin. Burimet thanë se shoferi Armando Pezaku dhe menaxheri Donald Lushaj, kanë thënë se do flisnin në një moment të mëvonshëm, ose në prokurori. Prokuroria dhe policia po vijojnë ndërkohë veprimet hetimore në magazinën ku u gjet kokaina e ardhur nga Kolumbia.

Magazina është sekuestruar. Po ashtu janë vendosur në sekuestro preventivë edhe asete të tjera të kompanisë, pas dyshimeve se ato mund të rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikut të kokainës.

Pronari i Kompanisë, Arbern Çeka, është në kërkim. Ai nuk gjendet në Shqiperi. Tv Klan mëson se është larguar jashtë vendit 2 ditë para se të zbulohej sasia e kokainës nga autoritetet ligjzbatuese shqiptare në kontenierin me babane që ai kishte porositur nga Kolumbia.

Policia dhe Prokuroria do të kontrollojnë edhe dy kontejnerë të tjerë të kësaj kompanie që aktualisht ndodhen në portin e Durrësit.

Pritet që ndaj tyre të ushtrohet një kontroll i imtësishëm me skaner dhe mjete të tjera, pasi dyshohet se edhe brenda tyre mund të ketë lëndë narkotike.

Grupi hetimor ka shoqëruar disa persona të tjerë, të dyshuar se kanë dijeni për ngjarjen, por nuk ka nxjerrë udhër – arreste të reja.

Tv Klan

 






Të ngjashme