65 vjetori i Ismail Kadaresë – (28 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, lindi në 28 Janar të vitit 1936, shkrimtari Ismail Kadare. I ardhur në letërsinë tonë si personalitet i letrave shqipe në vitet 60, firmën e Kadaresë e mbajnë mbi 60 vepra letrare, si dhe studime, ku veçojmë veprën e parë të tij në vitin 1954 “Frymëzime djaloshare”, e cila u pasua më pas nga një sërë veprash të tjera.
Kandidati për çmimin NOBEL në letërsi Ismail Kadare, sot ka 65 vjetorin, e për këtë në vendlindjen e tij Gjirokastër, nisi sot një javë veprimtarish. “Kadareja dhe vendlindja”, ishte veprimtaria e parë e organizuar në shkollën “Çajupi”, të qytetit. Një ekspozitë me kopertinat e librave të shkruar nga shkrimtari i shquar gjirokastrit, tërhoqi gjithashtu interesimin e të pranishmëve. Ismail Kadare është shpallur gjashtë muaj më parë nga bashkia e qytetit të Gjirokastrës, “Qytetar Nderi”./tvklan.al
Gazetare – Mirela Milori