Video/75 kg kanabis në fuoristradë, një i arrestuar e një në arrati
75 kilogramë kanabis janë sekuestruar nga efektivët e Vlorës, ndërsa në pranga ka rënë një 22 – vjeçar.
Kleant Xhaka, i lindur në Lushnje, por banues në Dhërmi udhëtonte me makinë në aksin rrugor Kotë – Drashovicë kur u konstatua nga policia. 22 – vjeçari, i cili shoqërohej nga një tjetër person, nuk iu bind urdhërit të punonjësve të policisë për të ndaluar, duke vazhduar kështu lëvizjen në drejtim të fshatit Drashovicë.
Gjatë ndjekjes nga policia, ata kanë braktisur mjetin duke u larguar me shpejtësi, megjithatë, policia ka bërë të mundur kapjen e Xhakës në hyrje të pyllit, ndërsa personi tjetër, i identifikuar nga policia ka mundur të largohet me vrap duke përfituar nga terreni i vështirë.
Nga kontrolli që policia bëri në automjetin “Fuoristradë – Toyota” me targë N856JLY, është gjetur dhe sasia prej 75 kilogramë kanabis.
Lënda narkotike ishte vendosur nëpër thasë sintetikë, qese plastike të zeza, si dhe një pjesë tjetër e mbështjellë me natriban, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër, si dhe të personave të tjerë të implikuar në veprimtarinë e prodhimit dhe të shitjes së lëndëve narkotikëve./tvklan.al