78 persona nën hetim për faj të shqiptarëve
Policia italiane ka arrestuar tre persona, të cilët dyshohet se lëshonin kontrata pune false për emigrantët. Me anë të dokumenteve të falsifikuara, emigrantët siguronin lejen e qëndrimit, si dhe merrnin asistencën nga shteti italian, e cila aplikohet për nënat shtatzënë dhe të papunët. Siç raporton ANSA, deri më tani policia ka vendosur nën hetim 78 persona, të cilët kanë përdorur kontratat false të punës, për të siguruar lejen e qëndrimit, duke paguar shuma të mëdha në këmbim.
Hetimi ndaj tyre ka nisur që në 2017-ën, pas arrestimit të disa shtetasve për vjedhje, kryesisht shqiptarë, të cilët zotëronin lejen e qëndrimit, nëpërmjet punësimit në disa kompani të ndryshme, të cilat ishin në pronësi të një biznesmeni 77-vjeçar nga Padova.
Gjatë hetimeve u zbulua, se emigrantët nuk kishin punuar kurrë në kompanitë e 77-vjeçarit, pavarësisht se ishin të regjistruar. Gjithashtu kompanitë, në të cilat ishin regjistruar emigrantët, operonin në mënyrë ilegale, duke i shkaktuar shtetit italian një dëm prej 80 mijë eurosh.
/tvklan.al