8 dhjetori, Berisha e Basha homazhe në shtatoren e Azem Hajdarit
Në përkujtim të 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë, drejtuesit më të lartë të Partisë Demokratike zhvilluan homazhe pranë shtatores së Azem Hajdarit në Qytetin Studenti.
Ish-kryeministri Berisha, një ndër protagonistet e atyre viteve e cilësoi Azem Hajdarin si njeriun që me kurajën dhe shpresën e shqiptarëve rrëzoi një prej regjimeve më të egra diktatoriale në Evropë.
Më herët, po nga i njëjti shesh ashtu si në 8 dhjetor të vitit 1990, ku mijëra të rinj u ngritën për të rrëzuar sistemin totalitar, Lulzim Basha ftoi rininë të marrë në dorë fatet e vendit për t’i thënë ndal autokracisë që sipas kreut të demokratëve mban peng lirinë dhe demokracinë në vend.
Të rinjtë i ftoi të mos largohen nga Shqipëria, por ashtu si 26 vite më parë të bëhen pjesë e një ndryshimi rrënjësor për vendin.
Gjatë mesditës të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike zhvilluan në mënyrë paralele disa protesta përpara Ministrisë së Brendshme, asaj të Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë, Bashkisë së Tiranës e Kryeministrisë.
Arkivoli, pakot me kanabis, e qese me plehra ishin simbolika e përzgjedhur nga të rinjtë demokratë të cilët kërkuan dorëheqjen e ministrave: Tahiri, Nikolla dhe Beqaj./ TV KLAN