Rama, Basha e Meta urojnë 8 Dhjetorin


Rama, Basha e Meta urojnë 8 Dhjetorin

09:14 08/12/2020

Presidenti: Koha për restart

30-vjetori i Lëvizjes së Dhjetorit ka sjellë reagime nga politika shqiptare. I pari që ka shkruar për këtë ditë të rëndësishme ka qenë kryeministri Edi Rama.

Përmes një postimi në rrjetet socialie ai thotë se 30 vjet nuk janë shumë në rrugën e historisë së një vendi sidomos si i yni që kaloi nga një diktaturë ekstreme në një demokraci funksionale.

30 vjet pas daljes së studentëve në rrugë, Rama e konsideron privilegj të qenurit pjesë e përpjekjeve të vendit përgjatë rrugës demokratike të  vendit.

“Bëhen plot 30 vjet sot nga dita, apo më saktë mbrëmja e daljes së studentëve në rrugën pa kthim të daljes prej diktaturës. Vite të jashtëzakonshme në jetën e shoqërisë sonë dhe një privilegj i jashtëzakonshëm të qenurit pjesë aktive e përpjekjeve përgjatë kësaj rruge, së bashku me nderin e madh të udhëheqjes së vendit në 7 vitet e fundit, pavarësisht thinjave të shtuara me një shpejtësi marramendëse në këto vite”, tha Rama.

Nga ana tjetër edhe Lulzim Basha përkujtoi këtë ditë përmes  një postimi në rrjetet sociale kku e shoqëronte me  një  video me pamje nga Lëvizja e Dhjetorit.

Heronj i quan kreu i demokratëve rininë e 30 viteve më parë dhe thotë se ata ndryshuan përgjithmonë fatin e Shqipërisë.

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Kjo ishte thirrja e tyre, teksa kapërcenin barrierat policore dhe dhunën e regjimit. E duam Shqipërinë si gjithë Europa! 30 vjet më parë, heronjtë e rinisë shqiptare ndryshuan përgjithmonë fatin e Shqipërisë. Ata luftuan për liri, për demokraci, për të drejtat e njeriut – dhe fituan. Në 30 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit le t’i nderojmë ata me zotimin për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa”, tha Basha.

Më vonë në këtë ditë të shënuar reagoi edhe Presidenti Ilir Meta. Ai uroi Ditën Kombëtare të Rinisë dhe tha se nderojmë me mirënjohje rininë e asaj kohe.

“Gëzuar 8 Dhjetorin 1990! Të bekuarën Ditën Kombëtare të Rinisë, Ditën e Studentëve, Ditën e Misionarëve që vranë frikën për të ndezur Pishtarin e Lirisë dhe Demokracisë në vendin e shqiponjave! Sot përulemi me mirënjohje të veçantë ndaj Lidershipit Heroik të Azem Hajdarit dhe atyre djemve e vajzave, të cilët u përplasën të parët me Dhunën e regjimit, duke frymëzuar një popull të tërë për kryengritje paqësore. Nderojmë shpërthimin e vullkanit të guximit marramendës rinor për të përmbysur regjimin më të ashpër izolues dhe shtypës në kontinent, por ndihemi dhe po aq borxhlinj që në tre dekada nuk kemi bërë aq sa duhet për të qenë aty ku e meritonin sakrificat e tyre”.

Kreu i shtetit shkruan ndër të tjera se është “koha për restart”. Meta thotë se beson tek shpirti energjik i të rinjve të Shqipërisë për të përmirësuar të ardhmen e popullit.

“Koha për restart! Për rivendosjen e Demokracisë dhe Llogaridhënies! Për ta bërë Shqipërinë, si gjithë Europa! Unë besoj shumë në shpirtin energjik të të rinjve të Shqipërisë dhe në fuqinë e aftësive të tyre për ta transformuar dhe përmirësuar cilësisht të ardhmen e popullit tonë. Koha për restart! Për të guxuar! Për t’u bashkuar! Që Rinia të marrë në dorë fatet e saj dhe të mbarë vendit! Nëse jo Rinia, kush tjetër? Nëse jo sot, kur? Do t’ia dalim me sukses sepse nuk kemi rrugë tjetër”!

Një urim me rastin e 8 Dhjetorit ka ardhur edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara  të Amerikës.

“Sot është një ditë për të nderuar studentët e guximshëm, të cilët protestuan kundër diktaturës dhe sollën demokracinë e lirinë në Shqipëri, si dhe për të vlerësuar përparimin që është bërë në këta 30 vjet nga Shqipëria, tashmë një anëtare e plotë e NATO-s dhe drejt rrugës së Bashkimit Europian. Është gjithashtu edhe një ditë për t’u siguruar që sakrificat që ata studentë bënë nuk do të harrohen, dhe për të nderuar ata që ende kontribuojnë për një Shqipëri më të mirë. Shtetet e Bashkuara do t’a mbështesin gjithnjë populin shqiptar në këtë udhëtim”. /tvklan.al






Të ngjashme